Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Thuhet se njeriu si qenie e arsyeshme, thith informacionin, e peshon me kujdes, dhe merr një vendim. Por sa e vërtetë është kjo? Sepse gjatë dekadave të fundit, shkencëtarët kanë treguar se ekzistojnë shumë faktorë të ndryshëm – të brendshëm e të jashtëm – që ndikojnë në mënyrën se si njeriu mendon, ndjen, komunikon, merr vendime në çdo çast.
Në këtë proces, një ndikim veçanërisht të fuqishëm mund të ketë vetë trupi, thuhet në një studim të botuar në revistën mujore të shoqatës për shkencë psikologjike (Current Directions in Psychological Science).
Shkencëtari Daniel Casasanto, i shkollës së re për Kërkime Sociale, (The News School for Social Reasearch) thotë se lëvizjet, gjestet, forma e trupit ndikojnë në mënyrën e të menduarit në fusha të ndryshme të jetës, duke filluar nga gjuha, idetë deri tek emocionet. Sipas tij, çdo njeri ka karakteristikat e veta fizike prandaj asnjeri nuk mendon njëlloj.
Një mënyrë sesi trupi afekton vendimmarrjen është përmes duarve. Ka njerëz që përdorin më shumë dorën e djathtë sesa të majtën. Për të vërtetuar hipotezën e tij mbi Specifikën e Trupit (Body – Specificity), Dr. Casasanto dhe kolegët e tij shqyrtuan nëse përdorimi i dorës së majtë ose të djathtë ndikon gjykimin rreth ideve abstrakte si vlera, inteligjenca dhe ndershmëria.
Përmes një seri eksperimentesh, shkencëtarët zbuluan se në përgjithësi, njerëzit priren të preferojnë gjërat që prekin ose hasin më shpesh me të njëjtën dore. Kur pjesëmarrësit u pyetën se cilin prej dy produkteve do të blenin; cilin prej dy kandidatëve për një vend pune do të punësonin; ose cili prej dy personave të huaj dukej më i besueshëm, ata që përdornin dorën e djathtë zgjodhën produktin, personin për punësim, ose personin e huaj më të besueshëm që panë në anën e djathtë, ndërsa ata që përdornin dorën e majtë preferuan ato që kishin parë në anën e majtë. Këto lloje të preferencash janë gjetur tek fëmijët nga mosh 5 vjeç e sipër.
Por pse ndodh kjo? Pse vendimi ndikohet nga çështja se cila dorë përdoret më shpesh, kur është fjala për të bërë vlerësime të tilla? Duket se çdo gjë varet nga lehtësia, thotë Casasanto, sepse njerëzit zgjedhin gjërat që janë të lehta për t’u perceptuar dhe për të ndërvepruar. Ata që përdorin dorën e djathtë – dhe që janë më të shumtë – bashkëveprojnë me mjedisin më lehtë në të djathtë sesa në të majtë, kështu që ‘e djathta’ – anglisht – ‘right’ – shoqërohet me të “drejtën” dhe “e majta” me të “keqen”.
Por kjo preferencë nuk është e gdhendur në gur. Personat që kanë përdorur dorën e djathtë, por për shkak të ndonjë aksidenti e kanë humbur atë, fillojnë t’a shoqërojnë ‘të drejtën’ me të ‘majtën’. E njëjta gjë ndodhi gjatë studimit ku pjesmarrësve iu tha të mos përdornin dorën e djathtë por vetëm të majtën. Shkencëtarët zbuluan se pas pak minutash, personat ‘djathtistë; filluan të mendonin si ‘majtistë’ – pra ndrysho trupin, dhe ke ndryshuar mendjen.
Duket qartë se ky ‘shoqërizm krahësh’ ka implikime përtej laboratorit. Shkencëtarët thonë se Teoria e Specifikës së Trupit mund të luajë një rol në mënyrën e votimit. Shumë shtete amerikane ende përdorin fletë votime të ashtuquajtura ‘butterfly’ flutur, ku emrat e kandidatëve shkruhen në të majtë dhe të djathtë.
Përderisa rreth 90 përqind e popullsisë përdor dorën e djathtë, thotë Dr. Casasanto , njerëzit që duan të tërheqin klientët për të shitur prodhimet, ose për të marrë votat, mund të zgjedhin anën e djathtë të një faqeje ose të një ekrani kompjuteri për të vendsur emrat e artikujve apo të kandidatëve të tyre.
2 responses to “‘Të djathtë’ & ‘Të majtë’”
Mreme ne nje kafene u diskutuam per dheninjen e dores qe takohemi ne vendin tone jepet dora e djathte eshte ofendim per te dhene doren e majte nje ga personat u cudit se njerezit ne Bote ka qe japin doren e majte kjo per mendimin tim vjen nga kultura Myslimane se doren e majte e perdorin per nevojat personale,ka persona qe shkruajne me doren e majte me mire se me doren e djathte,ne vendin tone ka pas raste femijet e kane nisur me shkrujte me te majte por kane hasur presion nga prinderit qe mos ta ushtrojne se ishte gjynaf ose te tallnin te tjeret etj,ka dhe njeres qe ushtrojne te dy duart per te shkruajtur kjo vjen nga te ushtruarit sepse eshte i lire si futbollistet qe perdorin kemben e majte per gjuajte te gjithe pjeset e trupit jane per te vene ne fonksion per vete dhe per te tjeret.Jufaleminderit.
Nese vendimet e trurit merren nga gjymtyret,çka ketu po tentohet te vertetohet,atehere kjo mund te jete e vertete…Nese Njeriu vendose me KOKE edhe nese i ka apo s`i ka fare gjymtyret,atehere kjo s`eshte e vertete…Nuk ka asnje mundesi te behet referim i plote per te djathtet dhe te majtet por nga te majtet,nuk them qe s`ka,por asnje nuk e njoh te jete tamam INTELEGJENT!