Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Tani është gusht – ndërsa pushimet e verës po mbarojnë, fillimi i vitit të ri shkollor afron. Dhe jo rastësisht, shkencëtarët thonë se kanë gjetur një lidhje midis notave të nxënësve në mësime dhe shëndetit të tyre.
Mbajtja e fëmijëve fizikisht të aftë ka qenë prej kohësh një nga qëllimet e shkollës
Tani, një studim i paraqitur nga Shoqata Psikologjike Amerikane sjell prova se rezultatet në palestër sjellin fryte edhe në klasë. Të dhënat e studimit tregojnë se një zemër dhe mushkëri të shëndetshme mund të jenë aq të rëndësishme sa edhe truri për nota të mira në matematikë dhe lexim.
Shkencëtarët shqyrtuan 1 mijë e 200 nxënës rreth moshës 12 vjeçare.
Ata u vlerësuan për:
– gjendjen kardio-vaskulare
– rezultatet në mësime
– vetëbesimin (dhe)
– inkurajimin shoqëror
Autorët zbuluan se faktori i vetëm i vazhdueshëm që kishte pasur një efekt pozitiv në notat e tyre ishte gjendja kardio-vaskulare – që kuptohet se programet e fizkulturës në shkolla duhet të vazhdojnë dhe se një raport i mirë mjekësor fizik do të thotë raport me nota të mira në mësime.