Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Pavarësisht nga përpjekjet për të frenuar ngacmimet, ato mbeten të zakonshme veçanërisht mes të rinjve.
Sjellja agresive nuk është e re, por me përhapjen e komunikimeve internetike problemi ka marrë një dimension të ri.
Një studim i paraqitur pranë Shoqatës Psikologjike Amerikane tregon se mënyrat e vjetra të ngacmimeve janë shumë më të shpeshta sesa ato në versionin kibernetik apo internet.
Shkencëtarët anketuan qindra e mijëra nxënës nga klasa e tretë në të dymbëdhjetën.
Mesatarisht,
– 18 për qind e tyre thanë se ishin keqtrajtuar verbalisht, ndërkohë që vetëm 5 për qind thanë se ishin ngacmuar në internet.
– 10 për qind thanë se kishin ngacmuar të tjerët, dhe vetëm 3 për qind thanë se kishin keqtrajtuar të tjerët në internet
Autorët thonë se megjithë zhurmën apo vëmendjen e tërhequr nga ngacmimet në internet, ky mjet i ri komunikimi në fakt ka krijuar me pak keqtrajtues ose viktima të reja.
Studimi rekomandon që shumë prej përpjekjeve të tyre shkollat duhet t’i drejtojnë kundër sjelljeve agresive të nxënësve në marrëdhënie të drejtpërdrejta me njeri-tjetrin.