Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Një vështrim mbi antibiotikët dhe foshnjet.
Sipas një studimi të ri, dhënia e antibiotikëve shumë herët në jetë mund të rrisë gjasat e fëmijëve për t’u bërë mbipeshë.
Studimi i botuar në “International Journal of Obesity” nuk pretendon se antibiotikët shkaktojnë mbipeshë tek foshnjet, por thotë se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë.
Shkencëtarë nga Universiteti i Nju Jorkut studiuan më shumë se 10 mijë fëmijë dhe gjetën se foshnjet që kishin marrë antibiotikë në 6 muajt e parë të jetës së tyre, kishin 22 për qind më shumë gjasa për të qenë mbipeshë në krahasim me ata që nuk kishin marrë antibiotikë.
Shtimi në peshë kishte ndodhur ndërmjet moshës 10 muaj dhe 3 vjeç, por kilogramët shtesë ata i humbisnin kur arrinin moshën 7 vjeç.
Sipas studimit, nëse foshnjeve nuk u jepen antibiotikë deri pas 6 muajve, ilaçi nuk ka të njëjtin efekt në masën e trupit dhe nuk shkakton mbipeshë.
Mjekët thonë se studimi nuk do të thotë se antibiotikët s’duhet t’u jepen foshnjeve, por duhet pasur kujdes që t’u jepen vetëm kur janë të nevojshme, për shkak të efekteve të mundshme negative në shëndetin e fëmijës.
Autorët e studimit thonë se nevojiten më shumë kërkime nëse dhe në ç’mënyrë antibiotikët ndikojnë në mbipeshën e fëmijëve.