Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Njeriu është mirë të provojë herë pas here ushqime të shijshme, por një studim paralajmëron rreth mbi-kënaqësisë. Studimi nga Klinika Mayo sjell një lajm të keq për ata që kanë depozita yndyrnash në pjesën e barkut.
Ekspertët thonë se barku është pjesa e trupit që kërkon më shumë ushtrime fizike për ta ulur ose mbajtur në nivel normal. Dhe yndyrnat e grumbulluara në këtë pjesë të trupit përbëjnë arsyet kryesore që shumë njerëz shkojnë në palestër ose kryejnë ushtrime fizike të tilla si ecje, vrapim, çiklizëm, not, alpinizëm.
Sipas studimit, njerëzit me yndyrna të grumbulluar në pjesën e barkut ishin më në rrezik të vdisnin në krahasim madje edhe me personat mbipeshë. Ndër këto vdekje, afër 50 për qind shkaktoheshin nga probleme kardiovaskulare. Ky përfundim u arrit pas vëzhgimit mjekësor të më shumë se 12 mijë personave për rreth 14 vjet.
Rezultatet treguan gjithashtu rëndësinë e përhapjes së njëtrajtëshme të yndyrnave në trup, pavarësisht në se njeriu ka peshë normale.