Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Shumë duhanpirës shqetësohen se po të lenë duhanin ata shtojnë peshë. Për personat me diabet të tipit 2, mbipesha pas lënies së duhanit mund keqësojë sëmundjen dhe të rrisë rrezikun e sëmundjeve të tjera. Dihet se kontrolli i peshës është faktor kyç në menaxhimin e diabetit dhe parandalimin e goditjeve në zemër dhe në tru.
Një studim i ri morri në shqyrtim personat që kishin nderprere duhanin, për të vlerësuar nëse shtimi i disa kilogramëve në peshën trupore shoqërohej me një pakësim të përfitimeve kardiovaskulare që sjell lënia e duhanit.
Studimi zgjati disa dekada dhe rezultatet u botuan së fundmi në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë, JAMA.
Autorët matën qëndrimin e pjesmarrësve ndaj duhanit dhe ndryshimin në peshë trupore mes personave që kurrë nuk kishin pirë duhan; mes atyre që e kishin lënë duhanin 4 vitet e fundit; dhe mes atyree që kishin më shumë se 4 vjet pa pirë duhan.
Të dhënat e regjistruara, shkencëtarët i krahasuan me njerëzit që vazhdonin të pinin duhan. Dhe rezultatet treguan se personat që kishin lënë duhanin, vazhdonin të përfitonin nga mospirja edhe nëse kishin diabet, edhe nëse shtonin peshë.
Për shembull, mes personave që lanë duhanin, pavarësisht nga shtimi i peshës, këta kishin 50 për qind më pak gjasa të pësonin një goditje në zemër ose në tru, apo të vdisnin nga sëmundje të tilla kardiovaksulare gjatë 6 vjetëve në studim.
Pjesmarrësit që lanë duhanin fituan një peshë trupore prej rreth 5 kilogramësh.
Autorët e studimit thonë gjithashtu se personat që kurrë nuk kishin pirë duhan ishin 70 për qind më pak në rrezik nga ndonjë goditje në zemër ose në tru, krahasuar me personat që vazhdonin të pinin duhan.