Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Më 11 tetor 1943, kopertina e revistës amerikane LIFE, mbulohet nga fotografia Giants at Play, që tregon legjendarët amerikanë të muzikës xhaz. Autori i fotografise është shqiptari Gjon Mili, i cili një vit më vonë, 1944, do të drejtonte realizimin e filmit klasik me metrazh të shkurtër, Jammin the Blues, kandidat për çmimin Oskar.
Gjon Mili njihet në histori si fotograf gjeni, por ai ishte i dashuruar edhe pas muzikës xhaz. Në Nju Jork ai kishte studion e tij fotografike, dhe e kishte bërë traditë të mblidhte muzikantët më të njohur ( Duke Ellington, Billie Holiday, Dizzy Gillespie, Count Basie, Lester Young, Gene Krupa) për të luajtur a improvizuar muzikën e tyre. Këto takime kane hyre ne fjalorin amerikan si “Jam Session”, “seanca” ku muzikantë e spektatorë “bllokoheshin” nga ora 21 deri në 4 të mëngjesit për t’u argëtuar.
Lindur në Shqipëri e rritur në Rumani, Gjon Mili emigroi në Amerikë për të studiuar inxhinieri elektrike në Institutin Teknologjik të Masaçustetsit (MIT). Në vitin 1937, i frymëzuar nga shpikja e dritës stroboskopike, Gjon Mili filloi të eksperimentojë me këtë lloj dritë për të fiksuar në celuloid objekte në lëvizje, duke krijuar kompozime fotogragike të jashtëzakonshme. Gjon Mili mendonte se koha mund të ndalej dhe këtë e tregoi me fotografitë që ka lënë.