Ne mendojmë se e shohim botën në detaje. Në fakt, sytë mund të procesojnë vetëm një pjesë të mjedisit tonë.
Një seri eksperimentesh, botuar në revistën Journal of Experimental Psychology, janë duke hetuar se si truri mashtron duke bërë të besohet se shihet gjithçka në hollësi. Në fakt sistemi nervor përdor përvojat vizuale për të parashikuar se si njeriu shikon në detaje.
Kështu, vetëm zona qendrore e retinës (fovea) mund të procesojë objekte saktësisht. Në të kundërt, të gjitha përshtypjet vizuale të cilat ndodhin jashtë retinës bëhen progresivisht të trasha. Por, zakonisht krijohet përshtypja se ne shohim pjesë të mëdha të mjedisit tonë në detaje.
Kjo qasje e re presupozon që gjatë jetës njerëzit mësojnë nëpërmjet lëvizjeve të panumërta të syrit për të lidhur përshtypjet e trasha të objekteve me përshtypjet e hollësishme vizuale.
Për shembull, nëse një person e sheh një top futboll nga këndi i syrit, truri i tij do ta krahasojë këtë foto me imazhet e objekteve në kujtesë, dhe nëse gjen një imazh që i përshtatet, do ta zëvendësojë me një imazh të saktë nga kujtesa – në këtë mënyrë personi mendon se tashmë e sheh topin në mënyrë të qartë.
Psikologët kanë përdorur ndjekjen-me-sy për të testuar qasjen; kështu, lëvizjet e syrit janë matur me saktësi me një aparat të veçantë që regjistron 1000 imazhe për sekondë. Eksperimentet tregojnë se perceptimi varet në masë të madhe nga përvojat vizuale të ruajtura në kujtesë, dhe shërbejnë për të parashikuar efektin e veprimeve të ardhshme. Me fjalë të tjera; ne nuk shohim botën aktuale, por parashikimet tona.