Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Një studim i ri tregon se numri i operacioneve për çbllokimin e artereve të zemrës ka rënë vitet e fundit në spitalet amerikane. Arsyeja është se kjo procedurë është duke u zëvëndësuar me një mënyrë tjetër më pak kirurgjike.
Rihapja e rrjedhës së gjakut në arteret e bllokuara të zemrës mund të kërkojë ndërhyrje të rënda kirurgjike, si hapja e kraharorit, ose procedurat më pak ndërhyrëse si përdorimin e një tullumbace ose një tubi të hollë metalik “stents” në arter. Në të dyja këto raste, ndërhyrjet krijojnë për gjakun e bllokuar një anashkalim ose bajpas – “bypass”.
Me mënyrën më pak kirurgjike e quajtur P-C-I (Percutaneous Coronary Intervention), mjekët nëpërmjet një kateteri vendosin në arter një tub, i cili ndihmon për çbllokimin e arterit duke krijuar për gjakun një anashkalim.
Përmirësimet e kësaj procedure gjatë 10 vjetëve të fundit ka bërë që të pakësohet numri i ndërhyrjeve të rënda kirurgjike bajpass për çbllokimin e artereve.
Doktor Peter Groeneveld i Shkollës së Mjekësisë në Universitetin e Pensilvanisë është bashkëautor i studimit që morri në shqyrtim të dhënat rreth operacioneve koronare bajpass të kryera në spitalet amerikane nga viti 2001 deri në 2008. Rezultatet e studimit, botuar në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë (JAMA), tregojnë se numri i këtyre operacioneve ishte pakësuar 38 përqind, duke e bërë procedurën P-C-I si zgjedhjen më të përhapur për trajtimin e bllokimeve koronare.