Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Disa fjalë paralajmëruese rreth Parkinsonit
Një aktivitet i zakonshëm, siç është spërkatja, në bujqësi tani lidhet me sëmundjen e Parkinsonit – çrregullim degradues nervor me simptomat më të zakonshme si dridhje, ngurtësim, ngadalësim lëvizjesh.
Një studim i ri në revistën “Neurology” është më i fundit që veçon pesticidet si fajtor për këtë sëmundje.
Analizimi i më shumë se 100 studimeve nga e gjithë bota tregoi se ekspozimi ndaj pesticideve kundër barërave të këqia dhe myshkut rrit rrezikun e zhvillimit të sëmundjes së Parkinsonit nga 33 % deri në 80 %.
Ekspozimi ndaj pesticidit kundër mykut a këpurdhave apo fungicidit u shoqërua me një rrezik dy-herë më të madh. Ndërsa DDT (insekticid që përdoret më shpesh në mbarë botën) nuk lidhej me rrezik të konsiderueshëm.
Autorët vërejnë se disa studime kanë gjetur edhe një lidhje të Parkinsonit me bujqësinë dhe jetën në fshat. Ata shtojnë se disa njerëz mund të jenë gjenetikisht të predispozuar për t’u prekur nga pesticidet – diçka për t’u patur parasysh edhe nga personat që merren me kopshtari gjatë verës.