Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Ende pak dihet mbi sindromën e lodhjes kronike, gjendje që karakterizohet nga dhimbje të muskujve, kuçeve dhe lodhje mendore e fizike. Por një studim i ri e lidh këtë çrregullim me një retrovirus. Sindroma e lodhjes kronike është pak-a-shumë e panjohur, por jo dhe aq e rrallë. 1 në 250 të rritur në SHBA preken prej saj . Është vlerësuar se vetëm 5% e pacientëve arrijnë të shërohen plotësisht prej këtij çrregullimi.
Ndërsa studiuesit ende nuk e dinë se çfarë e shkakton sindromën e lodhjes kronike, një studim i ri ka gjetur një lidhje të fortë mes saj dhe virusit të quajtur XMRV.
Pas analizave të mostrave të gjakut nga 100 pacientë me syndromë të lodhjes kronike dhe nga 200 persona pa këtë sindromë, studiuesit gjetën se 66 përqind e pacientët me lodhje kronike ishin bartës të virusit XMRV , kundrejt 4 përqind me këtë virus mes personave pa këtë sindromë.
Shkencëtarët arritën të përcaktojnë se tek pacientët ky virus provokonte një përgjigje imune , apo kundërpërgjigje a reagim të organizmit, që pasqyrohej me lodhjen.
Tani shkencëtarët e dinë se virusi është i pranishëm në shumicën e pacientëve me sindromën e lodhjes kronike, por ata thonë se më shumë kërkime nevojiten për të përcaktuar nëse virusi është shkaktari i mundshëm i vetë sindromës.