Procedurë e re për diagnostikimin e sindromës Down tek foshnjet që në fetus

E Mërkurë, 22 Qershor 2011
Leave a comment

Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

Një analizë e re gjaku për sindromën Down tek gratë gjatë 9 javëve të para të shtatzënisë mund të jetë gati për përdorim vitin e ardhshëm. Mjekët në SHBA thonë se analiza e re mund të zëvendësojë përfundimisht mënyrat aktuale të analizës për këtë sindromë, qe rrezikojne jetën e foshnjes së palindur. Grady Witkowski vuan nga Sindroma Down. Ai sapo ka mbushur një vjeç. Nëna e tij, Erin e dinte se ai do të lindte me këtë sindromë që në javën e 20 të shtatzënisë. Por kjo nuk ndryshoi asgjë.

“Ai është gjithë gëzim; buzëqesh,qesh, luan. Ai është çdo gjë që kam kërkuar ndonjëherë në një fëmijë. Nuk mendova se do të ishte i tillë kur në javën e 20 të shtatzënise, mjekët më thanë se djali do të lindte me sindromën Down. Por tani shoh se ai është mishërim i jetës, ka personalitet dhe të ardhme, dhe shpresoj”, thotë ajo.

Për vite, shumë gra kanë kaluar nëpër një përvojë të ngjashme: një analizë gjaku apo me ultratinguj që tregon gjasat për një rrezik të sindromës Down tek foshnja në fetus. Analiza pasohet nga një procedurë për diagnostikim më të saktë duke marrë inde nga fetusi për të analizuar ADN-në.

Zakonisht kjo quhet procedura e gjilpërës, që bëhet në muajin e 4 -5 të shtazënisë. Ekziston edhe një procedurë më e herëshme e quajtur CVS, që merr inde nga placenta dhe i analizon ato. Të dyja këto metoda përbëjnë një shans të vogël për të zbuluar sindromën, por përmbajnë rrezikun e lartë për dështimin e barrës.

Tani shkencëtarët kanë zhvilluar një mënyrë më të lehtë dhe më të saktë për diagnostikimin e sindromës Down. Me anë të një shiringe ata marrin ADN-në e fetusit nga gjaku në venat e nënës. Procedura është zhvilluar nga shkencëtarë në universitetin e Hong Kongut dhe është parashikuar të jetë gati për përdorim në prill të vitit të ardhshëm.

Malcolm Ritter shkruan rreth çështjeve shkencore për agjencinë the Associated Press.

“Tani për tani përcaktimi i rrezikut për sindromën Down kryhet me metodën e gjilpërës në barkun e gruas shtatzëne ku mjekët marrin ADN-në nga fetusi. Kjo procedurë kryehet pas javës së 15 të shtatzënisë. Ndërsa analiza e re e gjakut mund të japë një përgjigje më të saktë dhe kryehet më herët, pa rrezikuar foshnjen dhe nënën, pasi ADN-ja merret nga gjaku në venat e nënës, pa shqetesuar fetusin.”

Dy kompani në Kaliforni – Sequenom dhe Verinata – kanë marrë përsipër për t’a aplikuar këtë analizë në Shtetet e Bashkuara në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Kompania gjermane LifeCodexx do të merret me aplikimin e analizës së re në Evropë. Asnjë nga kompanitë nuk ka pranuar të diskutojë mbi koston e analizës. Analiza e re mund t’i shtyjë disa gra t’a ndërpresin shtatzëninë nëse rezultatet e analizës tregojnë se foshnja mund të lindë me sindromën Down.

Për gra të tjera shtatzëne analiza e re përbën vërtetë një sfidë apo dilemë. Sindroma Down ngadalëson zhvillimin mendor dhe fizik. Rreziqe të tjera shëndetësore përfshijnë defekte të zemrës dhe probleme në dëgjim.

Jetëgjatësia mesatare e një personi me sindromën Down është rreth 60 vjet. Analizat aktuale kanë ulur numrin e foshnjeve të lindur me këtë sindromë. Rreth 6 mijë fëmijë lindin çdo vit me sindromë Down në Shtetet e Bashkuara, ose 1 në 691 fëmijë.

Janë shifra të tilla që shqetësojnë Erin Witkowskin Ajo thotë se përcaktimi i saktë i sindromës Down tek foshnja që në fetus, do të pasohet me shtimin e aborteve dhe rrjedhimisht me uljen e numrit të fëmijëve me këtë sindromë, që dmth., më pak fonde për kërkime mjekësore dhe me pak programe për përkrahje të individëve të prekur nga sindroma, si djali i saj Grady. Erin Witkowski thotë se kur mjekët i thanë se djali i saj do të lindte me sindromën Down, ata i sugjeruan që t’a abortonte, por Erin e hodhi poshtë menjëherë këtë ide, dhe tani thotë se kurrë nuk do të pendohet për që veproi kështu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

June 2011
M T W T F S S
« May   Jul »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930