Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Studime të mëparëshme kanë treguar se televizori dhe media të tjera eletronike i pengojnë fëmijët për të fjetur mirë gjatë natës. Tani një studim i ri, botuar në revistën”Pediatrics” përqëndrohet në çështjen se “kur dhe çfarë shohin fëmijët?” Duke vëzhguar rreth 600 fëmijë nga mosha 3 deri në 5 vjeç, autorët e studimit zbuluan se fëmijët shikonin televizor mesatarisht 73 minuta në ditë, ndërsa ata që kishin televizor në dhomën e gjumit shikonin rreth 40 minuta më shumë.
Sipas studimit, pamjet televizive me dhunë gjatë ditës, shkaktonin probleme për të fjetur gjatë natës, ndërsa shikimi i filmave ose programeve pa dhunë nuk kishin ndonjë efekt. Por çdo shikim i një filmi, emisioni, programi televiziv pas orës 7 të mbrëmjes – me pamje të dhunëshme ose jo – shoqërohej me vështirësi të fëmijëve për të fjetur dhe lodhje gjatë ditës.
Autorët e studimit këshillojnë që prindërit të pakësojnë kohën që fëmijët shpenzojnë në mbrëmje duke parë televizor ose programe që pasqyrojnë dhunë. Ata gjithashtu rekomandojnë që televizori ose pajisje të tjera komunikuese elektronike të mos mbahen në dhomën e gjumit.