Alergjia ushqimore mund të jetë e vështirë për një fëmijë dhe e kushtueshme për prindin.
Kostoja e një alergji ushqimore për një fëmijë në Shtetet e Bashkuara është mesatarisht 4 mijë dollarë në vit, thuhet në një studim nga shkencëtarë pranë universitetit Northwestern në Çikago.
Ajo që duket e pazakontë është se është se shumica e kostos nuk vjen nga kujdesi i drejtpërdrejtë mjekësor, por nga prindërit të cilët kujdesen për fëmijën e tyre alergjikë.
Në raste të tilla, prindërve u duhet shpesh të ndryshojnë punën ose të punojnë me orar të reduktuar për t’u kujdesur mjaftueshëm për një fëmijë alergjik. Kjo u kushton atyre rreth 2500 dollarë në vit. Shumë prindër në sondazh thanë se atyre u ishte dashur të linin punën ose ishin pushuar nga puna për shkak të problemeve që lidheshin me alergjinë e fëmijëve të tyre.
Mbi të gjitha, studimi përllogarit se kostoja e përgjithëshme ekonomike e kujdesit për fëmijët alergjikë në Shtetet e Bashkuara kap shumën prej 25 miliardë dollarësh në vit.