Një studim i ri po ndihmon për të rishkruar historinë e familjes së filoviruseve, në të cilën Ebola dhe i afërmi i saj vdekjeprurës, virusi Marburg, kanë ekzistuar që para 23-milionë vjetëve.
Studimi, i publikuar në revistën PeerJ, shton tek shkencëtarët njohuri për filoviruset, per të cilat ekspertët dikur besonin se erdhën në ekzistencë rreth 10.000 vjet më parë, duke përkuar me rritjen e bujqësisë. Studimi i ri shtyn moshën e familjes së këtyre viruseve në kohën e majmunëve, 23 milionë vjet më parë.
Njohja e evolimit të Ebolës dhe Marburgut mund të ndikojë në projektimin e vaksinave dhe programeve që identifikojnë patogjenet në zhvillim.
Shpërthimi i parë i Ebolës në njerëz ka ndodhur në vitin 1976, dhe shkencëtarët ende dinë shumë pak për historinë e virusit – e njëjta mungesë informacioni është për virusin Marburg, i njohur në njerëz në vitin 1967.
Të kuptuarit e lashtësisë së viruseve mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjes. Duke ditur më shumë rreth filoviruseve në përgjithësi mund të sigurohet informacion se cilat lloje insektesh a kafshesh mund të shërbejnë si “rezervuare” që ruajnë patogjenet lidhur me Ebolën.