Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Njerëzit janë mësuar të kenë besim të patundur tek mjeku. Por një studim i ri shkatërron një pjesë të këtij besimi.
Shkencëtarët intervistuan gati 2 mijë mjekë në mbarë Amerikën për të parë nëse ata kishin ndjekur një rregullore mjekësore, botuar në vitin 2002, e cila udhëzon mjekët të jenë të hapur dhe të sinqertë me pacientët dhe të bëjnë menjëherë të ditur gabimet mjekësore.
Sipas studimit, shumica e mjekëve janë dakord me këto udhëzime. Por rreth një e treta e tyre thanë se nuk pajtohen plotësisht për t’u zbuluar pacientëve gabimet serioze mjekësore të kryera gjatë trajtimit.
Gati 2 në 5 mjekë thanë se nuk u tregojnë pacientëve marrëdhëniet financiare me kompanitë e barnave dhe të pajisjeve mjekësore.
Dhe pak më shumë se 10 përqind e mjekëve thanë se gjatë vitit të kaluar u kishin thënë pacientëve diçka që nuk ishte e vërtetë.