Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Administrata Federale e Ushqimeve dhe Barnave thotë se qëndrimi për një kohë të gjatë në shtretër me rreze Ultravjollcë për ngjyrën e lëkurës është i dëmshëm për shëndetin. Qeveria federale tani po shqyrton mundësinë e vendosjes së taksave të larta ndaj salloneve që ofrojnë shërbime të tilla, në mënyrë që njerëzit t’a kufizojnë ose shmangin një praktikë të tillë duke ulur kështu edhe koston e kujdesit shëndetësor. Më shumë se një milion amerikanë shkojnë çdo ditë në një sallon për të marrë ngjyrë lëkure nën dritat me rreze ultravjollcë si ato që ofron dielli.
Por duke filluar nga muaji korrik, personat që frekuentojnë sallone të tilla do të paguajnë një çmim 10 përqind më të lartë sesa tani. Me këtë masë, qeveria tërthorazi përpiqet t’i mbajë njerëzit sa më larg edhe nga klinikat mjekësore.
Disa studime tregojnë se shumica e rasteve të melanomës – formë vdekjeprurëse e kancerit në lëkurë – shkaktohet nga rrezatimi ultra-vjollcë. Ky lloj rrezatimi është më i përqëndruar veçanërisht në aparatet e shtretërve me rreze ku njerëzit shkojnë për të marrë ngjyrë lëkure të ngjashme me atë që gjatë verës përftohet nga rrezet e diellit.
Të dhënat tregojnë se çdo vit njoftohen 3.5 milionë raste të reja kanceri në lëkurë dhe 25 përqind e këtyre rasteve përfundojnë në vdekje.
Në rrezik më të madh janë gratë dhe vajzat e reja, të cilat përbëjnë 70 përqind të personave që frekuentojnë sallonet e rrezeve. Sipas studimeve, nëse gjasat e një personi për t’u prekur nga kanceri i lëkurës janë 0 përqind, kur ai/ajo frekuenton sallonet e rrezeve, gjasat për t’u prekur nga kanceri i lëkurës rriten 75 përqind.
Qëllimi i taksës është që njerëzit të shkurajohen për të shkuar në sallonet e rrezeve. Plani i reformës së kujdesit shëndetësor e parashikon këtë taksë, e cila do të ndikonte në uljen e kostos së kujdesit mjekësor, pasi njerëzit do të sëmureshin më pak dhe si rrjedhim do të shkonin më rrallë tek mjeku.
Planifikuesit thonë se më shumë se 2. 5 miliardë dollarë që parashikohet të mblidhen nga këto taksa gjatë dhjetë viteve të ardhëshme, do të përdoreshin për fushata ndërgjegjësimi ndaj rrezikut të rrezeve ultra vjollcë si ato artificiale edhe të diellit.