Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Sipas një studimi të financuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit, foshnjet e porsalindur mund të mësojnë ndërsa janë në gjumë. Shkencëtarët përdorën një aparat për të regjistruar veprimtarinë elektrike të trurit të foshnjeve që flinin, dhe një kamera që filmonte çdo shprehje të fytyrës. Tinguj muzike shpërndaheshin nga një manjetofon, ndërsa era e ventilatorit përplasej lehtë në fytyrën e çdo foshnjeje. Ndaj erës së ventilatorit, foshnjet që po flinin reaguan duke shtrënguar fort qepallat. Kjo u përsërit 9 herë dhe herën e 10, ventilatori ndaloi, dhe foshnjet në gjumë u lanë të dëgjonin vetëm muzikën. Pas përsëritjes së këtij eksperimenti për rreth 20 minuta, 24 prej 26 foshnjeve reaguan duke ndryshuar shprehjen e fytyrës në përgjigje të muzikës pa erën e ventilatorit. Sipas shkencëtarëve kjo provon se foshnjet e sapolindura mund të mësojnë nga stimulime të ndryshme nga jashtë ndërkohë që janë në gjumë. Sipas tyre, ky lloj të mësuari kontrollohet nga cerebellum, pjesë kryesore e trurit që është përgjegjëse për shumë shrregullime zhvillimi. Në të ardhmen, eksperimente të tilla mund të zbulojnë se foshnjet e sapolindura ka gjasa të kenë probleme zhvillimi nëse nuk reagojnë ose nuk mësojnë prej stimulimeve nga jashtë.