Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Sipas një studimi, meshkujt preken emocionalisht më shumë sesa femrat në marrëdhëniet dashurore. Prandaj edhe plagët shpirtërore nga prishja e marrëdhënieve mbyllen më me vështirësi mes djemve sesa vajzave, thuhet në studim. Studimi hedh poshtë mendimin e përgjithshëm se femrat e kanë më të vështirë kur ndahen nga të dashurit. Studimi u krye nga shkencëtarët në universitetin Wake Forest ku u morrën në shqyrtim mbi 1 mijë të rinj nga mosha 18 – 23 vjeç, në marrëdhënie romantike. Megjithëse meshkujt në dukje dukeshin më të fortë shpirtërisht, të dhënat treguan se marrëdhëniet dashurore ndikonin tek ata më shumë sesa tek femrat. Gjendja e tyre emocionale prekej më shumë nga cilësia e marrëdhënieve aktuale, ndryshe nga shumë femra që afektoheshin emocionalisht nga ekzistenca ose jo e këtyre marrëdhënieve. Dhe, ndërsa vajzat priren të reagojnë në shqetësime emocionale përmes depresionit, meshkujt zakonisht i shprehin shqetësime duke pirë alkohol ose duke marrë drogë. Për meshkujt, një marrëdhënie romantike është zakonisht burimi kryesor i afërsisë, ndërsa femrat ka të ngjarë të kenë marrëdhënie të ngushta me familjen dhe miqtë. Shkencëtarët besojnë se studime të tjera nevojiten mbi këtë çështje në mënyrë që të kuptohet më mirë shëndeti mendor i të rinjve dhe të rejave gjatë procesit të marrëdhineve romantike.
One response to “Marrëdhëniet romantike dhe shëndeti mendor”
lutje edhe nji here mbi zbulimet me te reja te multiplex sclerozes.JULUTEM