Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Një në çdo 10 amerikanë mbi moshën 12 vjeç merr barna kundër depresionit – një rritje prej 400 për qind në krahasim me 15 vjet më parë. Mes grave të moshës nga 40 në 59 vjeç, rreth 25 përqind e tyre përdorin barna të tilla.
Në shumicën e rasteve anti-depresantët jepen për të luftuar depresionin, por ato mund të merren edhe për trajtimin e çrregullimeve të tjera të tilla si ankthi.
Një raport i ri nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tregon se nga viti 2005 në 2008, ilaçet kundër depresionit ishin ndër tre barnat më të zakonshme të dhënë me recetë për amerikanët e çdo moshe.
Studiuesit gjetën se më shumë se 60 përqind e amerikanëve kanë marrë anti-depresantë për të paktën 2 vjet dhe 14 përqind i kanë përdorur ato për 10 vjet ose më shumë.
Megjithatë, shumë nga amerikanët që kanë marrë barna kundër depresionit nuk janë vizituar nga ndonjë mjek i shëndetit mendor vitin e kaluar.
Studimi thotë se mes racave dhe etnive, të bardhët jo-hispanikë janë më të prirur për të përdorur ilaçe kundër depresionit. Sipas studimit gratë janë të prirura 2 herë e gjysmë më shumë sesa burrat për të marrë anti-depresantë. Shkencëtarët thonë se duket qartë se depresioni prek më shumë gratë sesa burrat, por deri tani nuk e dinë arsyen përse ndodh kjo.
Doktor Daniel Z. Lieberman, psikiatër në spitalin e universitetit George Washington, mendon se gratë janë më të prirura sesa burrat për të pranuar se kanë probleme me emocionet. Të tjerë thonë se gratë janë më të ngarkuara në jetë sesa burrat, pasi kujdesen për punë jashtë, punë në shtëpi, dhe fëmijët.
Ekspertët thonë se pavarësisht nga gjithë këto teori – ende nuk ka të dhëna të qarta shkencore për të shpjeguar pse gratë preken më shpesh nga depresioni. Por e qartë është se gratë përdorin më shumë anti-depresantë sesa burrat dhe studimi i fundit tregon se ky përdorim mes tyre ka arritur në një nivel të pashembullt.