Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Gjatë kohëve të vështira ekonomike, janë të moshuarit, veçanërisht burrat, që preken më shumë jo vetëm nga ana financiare, por edhe nga shëndeti. Për më se dy vjet, një botë në krizë financiare ka detyruar gjithnjë e më shumë njerëz të bien nën nivelin e varfërisë. Dhe të moshuarit, shumë prej të cilëve me të ardhura fikse a pension, shpesh janë të parët që preken.
Si rezultat, thuhet në një studim, një numër amerikanësh të moshuar që gjenden në vështirësi financiare – veçanërisht ata me nivel relativisht të ulët arsimor – pijnë më shumë alkohol dhe duhan. Studimi i botuar në “Journal of Studies on Alchohol and Drugs” thotë se këto të dhëna përputhen me studimet mëparëshme që tregojnë një lidhje të drejtpërdrejtë midis vështirësive ekonomike dhe shtimit të përdorimit të alkoholit dhe duhanit mes të moshuarve.
Shkencëtarët vëzhguan më shumë se 2 mijë e 300 persona – mbi 65 vjeç dhe vunë re se ata me probleme financiare kishin 30% më shumë gjasa për të shtuar marrjen e pijeve alkoholike sesa bashkë-moshatarët e tyre në gjendje të qëndrueshme financiare.
Sipas studimit, nëse klima e tanishme ekonomike vazhdon, edhe problemet me duhanin dhe alkoholin pritet të shtohen, veçanërisht mes të moshuarve.