Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Shtohen dëshmitë se një dietë me pak yndyrë mund të ndihmojë parandalimin e goditjeve në tru.
Rreth 700 mijë amerikanë vuajnë çdo vit nga goditje në tru. Por një studim i ri thotë se nëse zgjidhen ushqime bulmeti me pak yndyrë, rastet e goditjeve në tru mund të pakësohen.
Shkencëtarët vëzhguan gjendjen e 75 mijë personave të moshës 45 deri 83 vjeç, të cilët në fillim të studimit nuk vuanin nga ndonjë sëmundje në zemër, goditje në tru ose kancer.
Në revistën mjekësore “Stroke”, autorët e studimit thonë se personat që pinin qumësht me nivel të ulët yndyre dhe hanin kos e djathë të prodhuar nga qumësht me pak yndyrë, ishin 12 për qind më pak në rrezik nga ndonjë goditje në tru, në krahasim me personat që ndiqnin një dietë bulmeti me yndyrë të plotë.
Bulmeti me yndyrë të ulët është një qasje dietike për të ndalur tensionin e gjakut ose hypertensionin – faktor i madh rreziku për goditje në tru.
Sipas studimit, hypertensioni mund të luftohet edhe duke shtuar Vitaminë D në prodhime bulmeti.