Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Rrëzimi është një shkaktar kryesor i problemeve shëndetësore mes të moshuarve. Kockat e tyre janë të dobësuara, trupi jo i fortë, prandaj edhe rimëkëmbja merr kohë.
Ish-zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Nancy Reagan po rimëkëmbet pas një rrëzimi që i shkaktoi thyerje brinjësh. Por si po e përballon këtë sfidë të re kjo 90 vjeçare – e admiruar nga kaq shumë amerikanë edhe për botën e saj shumë private.
Aksidenti i ndodhi 6 javë më parë, por lajmi vetëm mbrëmë u njoftua, kur me leje të mjekëve, zonja Reagan pranoi të vizitohej nga gazetarë të rrjetit televiziv ABC.
Vajza e saj, Patti Davis thotë se mamaja po e merr veten. Dikur nënë e bijë nuk shkonin mirë, por tani flasin çdo ditë.
Por si ndodhi aksidenti?
“Mamaja u zgjua në mesnatë, siç ndodhin zakonisht rrëzimet. Mua më lajmëruan menjëherë. Pësoi vetëm thyerje të brinjëve, kështu që reagimi im i parë ishte, shyqyr që nuk pësoi gjë më të madhe.”
Për republikanët, e veja e presidentit Reagan, është thuajse shenjtore e tyre.
Në vitin 2007, ish zonja e parë bisedoi me gazetaren Diane Sawer, e cila e pyeti në se me kalimin e kohës jeta pa bashkëshortin stabilizohet.
“Jo, malli për atë sa vjen e më shtohet.”
Ish zonja e parë, ka patur raste të frikshme me shëndetin. Vitin e kaluar asaj i rrëshqiti këmba, dhe po të mos kishte qenë pranë senatori i Floridës Marco Rubio, ajo do të ishte vrarë keq.
Në moshën e saj, kockat nuk janë të forta, trupi është i dobët dhe rimëkëmbja merr shumë kohë.
Ish zonja e parë nuk del shpesh në publik, por në shtëpi i shkojnë shumë vizitorë. Para pak javësh, dy fëmijët e saj lanë mënjëanë grindjet familjare dhe u mblodhën së bashku.
“Kjo familje tani është e bashkuar dhe është përsëri në gjendje të qeshë,të harrojë e reflektojë. vërtet dhuratë e çmuar për një njeri afër fundit të jetës”, thotë Patti Davis, bija e saj.
Dhe Nancy Reagan, 90 vjeç, vazhdon t’a gëzojë jetën e saj.