Gjumi – Vendasit vs. Emigrantët

E Hënë, 18 Qershor 2012
Leave a comment

Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

“Aftësia për të marrë sasinë e duhur të gjumit varet nga përkatësia etnike, racore dhe vendlindja” (Scientific American)

Gjumi duhet të jetë shenjë barazimi – çfarëdo dallimesh që mund t’i ndajnë njerëzit gjatë ditës, natën duhet të zhduken. Por nuk ndodh domosdoshmërisht kështu. “Kurrë mos shko në gjumë i zemëruar”, thotë shprehja, sepse fle keq, zgjohesh keq, dita të shkon jo-mirë dhe shëndeti mund të dëmtohet.

Shkencëtarët tani thonë se ekzistojnë dallime të rëndësishme në mënyrën se si njerëzit flenë. – këto dallime janë në varësi të racës, etnisë dhe vendit të prejardhjes, duke sugjeruar praninë e veçorive gjenetike e kulturore përsa i përket gjumit. Studime të tilla ndihmojnë për të identifikuar se si këto dallime mund të ndikojnë shëndetin – për të gjetur kështu mënyra më të mira për t’a përmirësuar atë.

Studim shqyrtoi të dhënat e gjumit të grumbulluara nga më shumë se 430 mijë njerëz në Shtetet e Bashkuara mes viteve 2004 – 2010, si pjesë e pyetësorit që Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve zhvillon çdo vit për të vëzhguar mirëqenien e vendit.

Shkencëtarët zbuluan se amerikanët që kanë lindur në një vend tjetër, pra kanë emigruar në SHBA, kishin më shumë gjasa për të fjetur 6 deri 8 orë çdo natë (aq sa rekomandohet për një stil të shëndetshëm jetese). Ndërsa amerikanët vendas, të lindur në SHBA, flinin më pak se 6 orë, ose më shumë se 8 orë (as gjumi i pakët dhe as gjumi i tepërt nuk shihen si i shëndetshëm. Ekspertët thonë se një gjumë jo i rregullt, shoqëruar me dietë të varfër dhe mungesë ushtrimesh fizike mund të çojë në pasoja të rënda shëndetësore.

Studimet e kaluara kanë treguar se fjetja më pak ose më shumë sesa rekomandohet – 6 deri në 8 orë për të rriturit – mund të lidhet me rreziqe të tilla si sëmundje kardiovaskulare, diabet, mbipeshë, goditje në tru, kancer, aksidente dhe me raste të çrregullimeve mendore, si depresioni.

Ndryshe nga shumë amerikanë të lindur jashtë vendit, amerikanët e lindur në Afrikë ishin më të prirur për të fjetur gjashtë orë ose më pak.

Një tjetër studim me pjesmarrës vullnetarë nga rrethi i Çikagos zbuloi se amerikanët e bardhë flinin 30 minuta më shumë sesa grupet e tjera racore; zezakët raportuan cilësinë më të keqe të gjumit, ndërsa aziatikët thanë se ndjeheshin të përgjumur gjatë ditës.

Ekspertët thonë se studime të tilla tregojnë shumë qartë se “kur, ku dhe sa flini varet se, nga vini dhe kush jeni.” Pra, mënyrat e gjumit mund të rrjedhin nga variacionet gjenetike dhe anatomike midis grupeve. Për shembull, studime të mëparëshme kanë treguar se zezakët dhe të bardhët flenë ndryshe ndoshta për shkak të dallimeve në përgjigjet e organizmit ndaj pezmatimeve, ndërsa grupet e racore ose etnike mund të kenë dallime në strukturën e rrugëve të frymëmarrjes, e cila përcakton mënyrën se si njeriu merr frymë gjatë gjumit.

Studimi vë në dukje se dallime të tilla biologjike janë të ngulitura thellë brenda një konteksti familjar, kulturor, dhe faktorësh të tjerë socialë, dhe se vetëm me njohjen e këtij mjedisi shumë-shtresash, mund të kuptohet pse grupe të ndryshme njerëzish kanë përvoja të ndryshme gjumi. Dhe kjo njohje është e nevojshme njësoj si për fusha të tjera të sjelljes; dieta e shëndetshme, ushtrime të mjaftueshme fizike, pakësim të përdorimit të alkoolit dhe rrallim në pirjen e duhanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

June 2012
M T W T F S S
« May   Jul »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
252627282930