Fëmijët, zhvillimi i trurit dhe ligji

E Martë, 19 Qershor 2012
Leave a comment

Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

Sistemi ligjor duhet të marrë në konsideratë më të madhe zbulimet e reja në fushën e Neuroshkencës që tregojnë se si një fëmijëri e vështirë mund të ndikojë në zhvillimin e trurit dhe të rrisë rrezikun për krime në adoleshencë.

Ky është rezultati i një studimi, pjesë e serisë së seminareve të Këshillit për kërkime ekonomike dhe sociale pranë zyrës Parlamentare të Shkencës dhe Teknologjisë në Britani.

Kohët e fundit, neuroshkencëtarët kanë treguar se jeta e një fëmije në shtëpi shumë kaotike dhe të frikshme mund të rezultojë në një rini të shqetësuar, impulsive dhe vigjilente ndaj kërcënimeve në mjedisin rrethues. Kjo gjendje, thonë shkencëtarët, duket se ndikon në zhvillimin e lidhjeve të neuroneve të trurit dhe funksionet e tij.

Fëmijë të tillë mund të hyjnë në adoleshencë me sisteme të trurit të përcaktuara ndryshe, dhe kjo mund të rrisë gjasat për tu bërë problematikë. Studimet kanë treguar se kjo mund të rrisë edhe ndjeshmërinë e tyre ndaj problemeve të shëndetit mendor.

Këto njohuri, nga një ekip pranë University College në Londër, janë pjesë e një sërë pyetjesh në fushën e kërkimeve të neuroshkencës që kanë implikime të mundshme edhe për sistemin ligjor.

Gjithashtu në Britani, studime të tjera nga shkencëtarë në Universitetin e Oksfordit kanë treguar se ndërsa disavantazhi shoqëror është faktor i madh rreziku për mos respektim të ligjit, edhe lëndimi traumatik i trurit (TBI) – nga një aksident apo goditje – rrit ndjeshëm rrezikun e përfshirjes në krime të dhunshme. Studimet tregojnë gjithashtu se rreth 45 për qind e të rinjve që kanë kryer krime kanë një histori me TBI, dhe sa më shumë trauma a lëndime të kenë pësuar, aq më e madhe është dhuna që këta persona reagojnë.

Mesazhi i studimit të fundit nga Neuroshkenca është se të rinjtë që kalojnë një fëmijëri të trazuar mund të përjetojnë një lloj efekti të trefishtë (tripple whammy). Një sfond i zymtë shoqëror shton mundësitë për akt kriminal; ndikon në zhvillimin e trurit në fëmijëri; shton gjasat për sjellje të rrezikshme. Këto kushte pastaj mund të rrisin gjasat për të përjetuar një traumë a lëndim të trurit, gjë që do të komprometonte aftësinë për të qëndruar në shkollë apo per të kontribuar në shoqëri më tej në jetë.

Autorët e studimit theksojnë hendekun e madh që ekziston midis kërkimeve neuroshkencore dhe veprimtarisë së përditshme të sistemit të drejtësisë. Edhe pse rezultatet e sjelljeve kriminale vijnë nga një bashkëveprim kompleks i një mori faktorësh, shkencëtarët thonë se ata kanë identifikuar faktorët kryesorë të rrezikut që – nëse adresohen – mund të pakësojnë rastet e krimeve. Duke investuar në fazë të herëshme, ndërhyrjet e përqëndruara mund të kompensojnë kostot e viteve në burgje a kujdestari dhe të dhunës sociale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

June 2012
M T W T F S S
« May   Jul »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
252627282930