Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Ekziston një frikë se barnat e falsifikuara janë në rritje. Kohët e fundit, autoritetet britanike njoftuan Administratën amerikane të ushqimeve dhe barnave se në disa farmaci kishin zbuluar Avastin të fallsifikuar me etiketa të shkruara frëngjisht. Shishet me ilaçin e vërtetë Avastin përmbajnë etiketa në anglisht me emrin e firmës prodhuese Genentech.
Avastin është një ilaç i rëndësishëm kundër kancerit, por Avastin i falsifikuar nuk përmban asnjë substancë kundër kancerit. Ilaçi i rremë u ishte shitur klinikave dhe farmacive në Angli nga një firmë e paliçensuar furnizimi në Evropë. Autoritetet amerikane kanë zbuluar se edhe disa klinika në 3 shtete – Kaliforni, Teksas, Illinois – pa e ditur, u kanë dhënë pacientëve Avastin të rremë. Dyshohet se ilaçi i rremë prodhohet diku jashtë Amerikës dhe pastaj u shitet klinikave në botë.
Raste të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë, për shembull, në vitin 2003, kur u zbuluan 200 mijë shishe me Lipitor të falsifikuar, ose raste në internet me shurupe të rremë kundër gripit apo barna dietike të falsifikuara.