Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Gazeta The Wall Street Journal kishte këto ditë një artikull mbi trajtimin e migrenës nëpërmjet një menyre jo të zakonshme.
Miliona vetë vuajnë nga kjo dhimbje kronike e kokës, dhe disa prej tyre tani i nënshtrohen operacionit plastik – jo që të duken më mirë, por të ndjehen mirë.
Sipas statistikave, 36 milionë amerikanë vuajnë nga migrena dhe arsyeja pse gratë preken 3 herë më shumë sesa burrat, nuk dihet.
Njerëzit kanë provuar mënyra të ndryshme për trajtimin e migrenës, duke filluar nga dieta, terapia fizike dhe të gjitha ilaçet – të vjetra e të reja – që dalin në treg, por në shumicën e rasteve, pa ndonjë efekt.
Kjo mund të jetë edhe një asrye që sa herë njoftohet mbi një mënyrë të mundshme trajtimi, sado jo-konvencionale, lajmi tërheq vemendjen, shpresat për shpëtim ringjallen dhe personat me migrenë duan t’a provojnë.
Kirurgjia plastike ka kohë që përdoret për përmirësimin e cilësisë së jetës, përfshi ndryshimet kozmetike e deri te rikonfigurimi i trupit apo fytyrës së dëmtuar nga aksidente të ndryshme.
Por tani kirurgjia plastike ka filluar të përdoret edhe për trajtimin e migrenës – një ngritje e lehtë e lëkurës mbi vetulla ose në ballë, jep efekte të dëshirueshme. Dr. Jay Austen, Shefi i Krirugjisë Plastike në spitalin e përgjithshëm në Massachusets, thotë se fillimisht personat që vuanjnë nga migrena trajtohen me ‘botox’ dhe kur tregojnë përmirësime, atëherë shikohen si kandidatë për operimin e migrenës.
Kjo ndërhyrje quhet “operacion për dekopresimin e nervit”, pasi mjekët besojnë se migrena shkaktohet nga fijet nervore që shtypen ose kompresohen nga inde ose muskuj. Kur këto fije nervore në ballë a mbi vetulla çlirohen kirurgjikisht, dhimbjet e kokës mund të ikin përgjithmonë. Një tjetër efekt i kënaqshëm që mendohet se sjell ky lloj operimi është edhe ndryshimi kozmetik – pacienti/pacientja duken më të rinj.