Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Disa e quajnë masë në kërkim për mirëqenie, të tjerët thonë se është tejet ekstreme.
Një komisioner i qarkut Bonner në shtetin Ajdoho (Idaho) nuk dëshiron duhanpirës në zyrat rajonale. Komisioneri Mike Nielsen kërkon një politikë të re sipas së cilës nëpunësve vendorë t’u ndalohet pirja e duhanit brenda ose jashtë orarit të punës. Jo vetëm kaq. Ai thotë se asnjë person që pi duhan nuk do të punësohej në zyrat e qarkut.
Sipas statistikave, 20 përqind e njerëzve ose 1 në 5 persona vdesin si pasojë e sëmundjeve që shkakton duhani.
Por komisioneri Mike Nielsen e sheh çështjen si administrator. Ai është njeri praktik, në mision për t’i kursyer qarkut para. Disa thonë se ai kërkon t’i trajtojë njerëzit si bletë, duke “tymosur” duhanpirësit për t’i larguar nga qarku.
“Unë e shikoj çështjen siç e sheh çdo kompani sigurimesh. Cila është ajo kompani që siguron një ndërtesë që po digjet. Kështu edhe unë do marr në punë vetëm njerëz që nuk pinë duhan”, arsyeton Komisioneri Nielsen.
Ai thotë se në periudhë afagjate, kjo masë do t’i kursejë qarkut fonde që tani i shpenzon për sigurime e kujdes shëndetësor si pasojë e sëmundjeve që shkakton duhani.
“Nëse nuk marrim në punë njerëz që pinë duhan, brenda 5 deri 10 vjetët e ardhshëm, ne do të jemi në gjendje të ulim koston e sigurimeve shëndetsore, sepse çmimet e sigurimeve lidhen drejtpërdrejt me gjendjen aktuale shëndetsore të një personi dhe me gjasat që ai ka për t’u sëmurur ose jo dhe kur nuk pi duhan, gjasat janë më të pakta.”
Idea e komisionerit të qarkut Bonner ndodhet në fazën fillestare, por kjo s’do të thotë që njerëzit të mos shprehen sikur ajo të ketë hyrë në fuqi. Për shumë prej tyre, kjo është çështje parimi. Dona Bricket, banore e qarkut, thotë se është dakord që duhani të mos pihet në vendin e punës, por se ç’bën një njeri jashtë orarit të punës, është diçka që nuk u përket të tjerëve.
Ndërsa Julie Larkin thotë se idea është e mirë, por nuk i pëlqen mënyra e zbatimi të saj.
“Të mos punësosh njerëz sepse pinë duhan, është diskriminim, si çdo lloj diskriminimi.”
Por komissioneri Nielsen argumenton se duhanpirësit nuk përfaqësojë klasë ose shtresë të vecantë dhe se mbron interesat e taksapaguesve. Ai shpreson që kjo masë të hyjë në fuqi në vitin 2012. Por vetëm nëse miratohet nga shumica e anëtarëve të këshillit të qarkut.