Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Kur trupi është disa herë më i madh sesa masa normale, edhe një gjë e vogël, si për shembull gjetja e venës për të marrë gjak, bëhet një sipërmarrje e vështirë e plot dhimbje. Këtë është duke provuar 25 vjeçarja Tanya Angus në një klinikë në Las Vegas. Por marrja e gjakut në këtë rast mund të ndryshojë rrjedhën e jetës së saj. Ajo vuan nga sëmundja e gjigandizmit.
U bënë 6 muaj që ajo merr lloj-lloj barnash, shumë prej të cilave eksperimentale, për të ndalur rritjen e trupit.
Një tumor masiv në tru (petuitary gland) nxit së tepërmi hormonin e rritjes, edhe pse analiza e fundit e gjakut tregonte një farë përmirësimi. Tumorë të tillë janë zakonisht beninjë (jo kancerozë). Trupi i saj vazhdon të rritet duke e bërë të padurueshme ngarkesën fizike dhe emocionale. “Shoh veten që po shkatërrohem, megjithëse dëshira për t’a luftuar këtë sëmundje nuk më mungon”, thotë ajo.
Përderisa analizat kanë treguar se rritja e trupit sikur është ndalur, Tanya tani pret t’i nënshtrohet një operacioni në tru për heqjen e tumorit. Mjekët thonë se në këtë rast, operimi është rruga e vetme dhe pas operacionit, mbetet vetëm shpresa. Ekspertët thonë se nëse tumori do të ishte zbuluar herët, Tanya dhe mjekët do t’a kishin pasur më të lehtë.