Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
ADHD – janë inicialet e një çrregullimi që njihet mirë nga prindërit. Urtësia konvencionale thotë se sheqeri është një nga fajtorët kryesorë për ADHD, siç quhet çrregullimi që i bën fëmijët hiperaktivë e të pa vemendshëm. Por një studim i ri thotë se sheqeri mund të jetë pa faj.
Sipas statistikave, 3 deri 5 përqind e fëmijëve amerikanë janë diagnostikuar me ADHD, duke e bërë këtë një nga sëmundjet më të zakonshme mes fëmijëve.
Eshtë menduar gjerësisht se sheqeri shkakton ADHD, ose e keqëson atë.Tani një studim i botuar në revistën “Pediatrics” e vë në dyshim një supozim të tillë.
Shkencëtarët shqyrtuan studimet e mëparëshme që e lidhin konsumimin e sheqerit me çrregullimin ADHD dhe gjetën shumë pak të dhëna se sheqeri nxit hiperaktivitetin. Në studim thuhet se dozat e larta mund të jenë përgjegjëse për ndryshimin e sjelljeve tek fëmijët.
Por autorët zbuluan se të dhënat e studimeve që lidhin çrregullimin ADHD me sheqerin ishin të paqarta për të nxjerrë një përfundim të saktë.
Ata thonë se ndryshimi i dietës së fëmijëve nuk është i mjaftueshëm për të trajtuar çrregullimin ADHD. Trajtimi me barna është pothuajse gjithmonë i nevojshëm. Por edhe një dietë e thjeshtë me yndyrna të ulta dhe përmbajtje të lartë drithrash, frutash e perimesh mund t’i ndihmojë këta fëmijë.