Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Paraardhësi i përbashkët i të gjithë vertebrorëve në Tokë i ngjan një peshkaqeni – në këtë përfundim arrijnë paleontologët pas analizimit të fosileve të një peshku 290 milionë vjeçar.
Studimi, i financuar nga Këshilli për Kërkime të Mjedisit Natyror, u botua në numrin e sotëm (14 qeshor) të revistë ‘Nature”, dhe bazohet në llojin “Acanthodes bronni”, një peshk nga epoka Paleozoike, fosilet e të cilit shkencëtarët i kishin zbuluar para disa vjetëve. Studimi hedh dritë mbi evolucionin e hershëm të vertebrorëve dhe ofron një vështrim të ri më të plotë rreth paraardhësit të fundit para se peshkaqenët e hershëm të ndaheshin nga peshqit – prej nga eventualisht do të zhvilloheshin qeniet njerëzore.
Një nga autorët kryesorë të studimit, Michael Coates, profesor i biologjisë dhe anatomisë në Universitetin e Çikagos, thotë se nga vëzhgimet dhe analizat e bëra del se peshqit më të hershëm kockëmëdhenj dukeshin afërsisht si peshkaqenë, dhe jo anasjelltas siç mendohej më parë. Në grupin e vertebrorëve përfshihen dhjetëra mijëra lloje duke filluar nga peshqit e peshkaqenët, shpendët, zvarranikët, gjitarët dhe njerëzit. Mendohet se peshkaqenët e sotëm u ndanë nga peshqit më shumë se 420 milionë vjet më parë. Por shkencëtarët ende dijnë shumë pak se çfarë pamjeje ka pasur paraardhësi i fundit i këtij grupi vertebrorësh nga i cili evoluoi qenia njerëzore.
Autorët e studimit thonë se sa më shumë që merren me këtë çështje aq më tepër të dhëna ata gjejnë se njeriu dhe peshkaqeni kanë pasur një paraardhës të përbashkët.