Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Pyetja shtrohet; A ndjejnë gratë më shumë dhimbje sesa meshkujt? Kjo varet se kush pyetet. Por studimet e reja thonë se gratë janë, vërtetë, më të ndjeshme ndaj dhimbjes.
Disa kushte të caktuara mjekësore janë më të shpeshta tek gratë. Studimet kanë treguar se gratë vuajnë më shumë nga migraina, fibromyalgia dhe sindromi i acarimit të zorrëve. Madje disa gra janë në dhimbje deri në një vit pas lindjes së fëmijës.
Por një studim i ri i botuar këtë javë në “Journal of Pain” zbulon se kur burrat dhe gratë vuajnë nga sëmundje të njejta – të tilla si problemet të shtyllës kurrizore infeksione sinusi, artriti ose diabeti – gratë ndjejnë më shumë dhimbje.
Shkencëtarë nga Universiteti i Stanfordit studiuan të dhënat mjekësore elektronike të 11 mijë pacientëve, që ishin pyetur të vlerësonin shkallën e dhimbjes, pyetje rutinë e vizitës tek mjeku.
Gjatë shqyrtimit u pa se gratë kishin raportuar nivele shumë më të larta të dhimbjes sesa burrat për 21 nga 22 sëmundjet.
Pse ndodh kjo? A kanë meshkujt kufij të ndryshëm dhimbjesh në krahasim me femrat? A reagojnë ndryshe ndaj barnave? Janë ata më tolerantë ndaj dhimbjeve, apo ankohen më pak se femrat?
Këtyre pyetjeve, studimi nuk u përgjigjet, por autorët theksojnë nevojën për më shumë kërkime pse burrat dhe gratë i përjetojnë dhimbjet ndryshe dhe nëse trajtimi i tyre duhet të jetë i veçantë a ndryshe për secilën gjini.