Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Vështirësia e frymëmarrjes në gjumë quhet ndryshe edhe apnea e gjumit. Apnea ndodh kur personi në gjumë nuk arrinë të mbushet me frymë për shumë sekonda deri në një minutë.
Shkencëtarët e dinë se çrregullime të tilla të frymëmarrjes në gjumë shkaktojnë ngritjen e presionit të gjakut, gjendje që mund të sjellë goditje në zemër e në tru.
Miliona njerëz vuajnë nga apnea e gjumit. Ajo shfaqet herë me gërhitje e herë pa zhurmë. Apnea ndodh kur muskujt e rrugëve të frymëmarrjes humbasin elasticitetin, duke shkaktuar bllokim.
Studimi u krye nga shkencëtarë pranë universitetit të shtetit Wiskonsin. Sipas të dhënave, njerëzit me apnea – në krahasim me personat e tjerë – janë 5 herë më shumë në rrezik të vdesin nga kanceri i çfarëdo lloji. Studimi morri në shqyrtim rreth 1 mijë e 500 persona duke vëzhguar shëndetin e tyre për 22 vjet.
Shkencëtarët dyshojnë se lidhjet e forta që ata zbuluan midis apneas dhe kancerit shkaktohen nga mungesa e oksigjenit që e bën organizmin të krijojë më shumë enë të vogla gjaku që ushqejnë qelizat, përfshi edhe ato kanceroze.
Autorët e studimit theksojnë se apnea e gjumit është një problem serioz, dhe lidhja e saj me kancerin përbën një arsye më shumë për t’u shqetësuar e për të ndërmarrë veprim duke kërkuar trajtim.