Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Barnat statin merren nga miliona njerëz për uljen e kolesterolit. Por kjo s’do të thotë se ato janë pa efekte të mundshme anësore. Mjekët kanë regjistruar se disa pacientë janë ankuar për lodhje ose humbje energjie pasi kanë marrë barna statin. Një studim i botuar këto ditë në revistën Archives of Internal Medicine, konfirmon ankesat e tyre.
Studimi shqyrtoi gjendjen shëndetësore të më shumë se 1 mijë burrave dhe grave. Autorët zbuluan se ata që merrnin statin kanë dukshëm më shumë gjasa për të provuar rënie të energjisë dhe lodhje, ndërsa efekte të padëshirueshme anësore u vunë re më shumë tek gratë sesa burrat.
Autorët thonë se mjekët duhet të marrin në konsideratë edhe rezultatet e këtij studimi kur peshojnë të mirat dhe të këqiat gjatë dhënies së recetës për barna statin.