Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Ekspertët paralajmërojnë se për shkak të faktorëve të ndryshëm mjedisorë, këtë verë ka të ngjarë të shihen më shumë insektete që bartin sëmundjen Lyme.
Sëmundja Lyme shfaqet në formën e njollave të kuqe në formë vezake që shkaktohen në lëkurë nga pickimi i një lloj insekti të quajtur ‘Ixodes scapularis’. Pas njollave, shumë pacientë zhvillojnë grip të rëndë me smptoma si dhimbje të muskujve, ethe, dhe lodhje. Analiza e gjakut në këtë fazë mund të jetë negative, por mjekët duke parë shenjat e veçanta në lëkurë e trajtojnë pacientin me antibiotikë.
Për mbrojtje nga ky lloj insekti, ekspertët këshillojnë;
-veshje mbrojtëse
-lyerje të lëkurës me solicione të përshtatshme kundër insekteve
– kontroll të kujdesshëm si të njerëzve dhe të kafshëve shtëpiake, ku Ixodes scapularis bashkangjitet më lehtë.
Nëse gjendet, insekti duhet të hiqet nga ngadalë e me kujdes duke përdorur piskatore. Ekspertët nuk rekomandojnë përdorimin e ngrohjes apo lëngjeve për shkëputjen e insektit nga lëkura. Gjithashtu, është mirë që insekti të ruhet për t’ia treguar mjekut, në mënyrë që ai jetë në gjendje për të përcaktuar antibiotikun e përshtatshëm për trajtim.
Insekti që shkakton sëmundjen Lyme ka disa emra. Termi mjekësor në latinisht është Ixodes scapularis që shpesh u ngjitet kafshëve shtëpiake, si qenit.