Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Shkencëtarët mund të jenë një hap më afër zhvillimit të një vaksine kundër kancerit në mushkëri. Kanceri i mushkërive është shkaktari numër një i vdekjeve nga kanceret në Shtetet e Bashkuara.
Një studim i botuar në revistën mjekësore Lancet thotë se puna për një vaksinë kundër kancerit në mushkëri duket se ka hyrë në rrugë të mbarë.
Shkencëtarët morrën në shqyrtim 148 pacientë me kancer në mushkëri dhe i ndanë ata në dy grupe. Pacientët në njërin grup u trajtuan me kimoterapi dhe me një vaksinë të re e quajtur TG4010. Pacientët në grupin tjetër u trajtuan vetëm me kimoterapi.
Pas gjashtë muajve, tek 43 përqind e pacientëve që morrën dy trajtime njëherësh u vu re një ngadalësim i zhvillimit të kancerit, krahasuar me 35 përqind mes atyre që u trajtuan vetëm me kimoterapi. Mbijetesa mesatare ishte e ngjashme në të dy grupet.
Studimi zbuloi se terapia e kombinuar ishte më e efektshme tek pacientët që kishin nivele normale të “qelizava vrasëse natyrore”. Këto qeliza punojnë për të eleminuar qelizat e kancerit, dhe ndihmojnë për të mbajtur gjallë qelizat e shëndetshme. Ndërkohë, shkencëtarët janë duke kryer një tjetër studim të ngjashëm për të provuar suksesin.