Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Një studim i ri tregon se burrat janë ndryshe nga gratë. Tani, ju mund të thoni “kjo dihet.” Por studimi zbulon se dihet vetëm gjysma.
“Vive la Difference!” thonë francezët, kur është fjala për ndryshimin e madh midis burrave dhe grave. Një libër, ndër më të shiturit, shprehet ndryshe; “Burrat janë nga Marsi dhe gratë nga Venusi.”
Studim i ri i publikuar në revistën “Public Library of Science One” në internet thotë se dy gjinitë mund të jenë vërtetë nga dy Planete të ndryshëm.
Shkencëtarët përdorën një metodë të re duke krahasuar tiparet e shumëfishta të personalitetit të 10 mijë burrave dhe grave, në vend që t’i merrnin tiparet një e nga një.
Autorët e studimit thonë se zbuluan dallime të theksuara.
Gratë fituan më shumë pikë për;
– ndjeshmëri
– ngrohtësi
– perceptim
Ndërsa burrat u vlerësuan më lartë për;
-qendrueshmëri emocionale
-dominim
-kontroll-vetëdije.
Studim thotë dallimet gjinore në personalitet janë nënvlerëduar dukshëm. Studimet e mëparshme kanë thënë se keto dallime janë mesatarisht të pakta.
Por studimi i ri zbulon se çdo gjini dallohet nga grup i veçantë karakteristikash, me vetëm 18 për qind të burrave që kanë një tipar “femëror” dhe 18 përqind të grave me karakteristika mashkullore.
Studimet e më parëshme kanë treguar gjithashtu se meshkujt dhe femrat arrijnë rezultate të ngjashme në provimin 16PF5 – metodë e përdorur shpesh për matjen e personalitetit.
Studimi i ri i konteston këto rezultate duke thënë se për shkak se burrat shënojnë rezultate të larta në disa fusha dhe gratë në fushatë tjera, dallimet midis gjinive anulojnë njëri-tjetrin. Por shënojnë edhe ndarje të thellë nëse krahasohen drejtpërdrejt.