Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Të fikët, vilani, alivani, zali është e njëjta gjë – njeriu papritur pëson marrje-mendsh, humbet ndjenjat, trupi “këputet”, rrëzohet.
Mjekët në Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një fushatë të gjerë për ndërgjegjësimin e publikut ndaj rreziqeve që sjellin të fikët, që ata e cilësojnë si një dritare nga ku mund të shihen problemet në zemër. Kur të fikët bëhet kronike – mjekët thonë se kjo është shenjë edhe për sëmundje të tjera.
Me fillimin e misioneve në hapësirë, shkencëtarët vunë re shfaqjen e këtij fenomeni edhe mes astronautëve. Doktor Fred Jaeger i Klinikës së Klevelandit thotë se astronautët janë të prirur të preken nga marramendja dhe të fikët, sepse kur njeriu është në hapësirë, ai nuk përdor të gjithë muskujt, përfshi muskujt e zemrës, pasi trupit i mungon pesha e gravitetit. Kjo bën që përmasa e zemrës të zvogëlohet. Këto simptoma lajmërojnë atë që quhet “sindroma POTS” nga e cila preken miliona njerëz, kryesisht gratë – dhe që krijohet nga ndryshime fizike-emocionale; gëzim, hidhërim, dhimbje; ndryshime në qëndrimin e trupit; rënia e presionit të gjakut; ose nga shtimi i madh i rrahjeve të zemrës.
Tani, shkencëtarët e agjencisë NASA kanë zhvilluar një program ushtrimesh fizike – jo vetëm për astronautët – ku përfshihen ushtrime që ndihmojnë gravitetin. Dr Fred Jaeger në Klinikën e Klevelandit thotë se tani për herë të parë, pacientëve u jepet një mundësi për shmangien e simptomave të “sindromës pots” ose t’a kurojnë atë. Shpresat janë se ky program do të ndihmojë rritjen e zemrës, përdorimin me efikasitet të muskujve dhe përmirësimin e qarkullimit të gjakut, duke parandaluar të fikët.