Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Shumë flitet për të mirat e së ashtuquajturës “Vitamina Diell” (D). Një studim i ri thotë se vitamina D duket se ul ndjeshëm rrezikun e prekjes nga fraktura e kockave tek vajzat adoleshente.
Studimi i botuar në “Archives of Pediatric & Adolescent Medicine” morri në shqyrtim shëndetin e rreth 6 mijë e 500 vajzave nga mosha 9 deri 15 vjeç. Shkencëtarët grumbulluan të dhëna nga viti 1996 – 2001, rreth dietës dhe sasisë së vitaminave që këto vajza kishin konsumuar nëpërmjet ushqimeve ose vitaminave shtesë, përfshi kalcium dhe vitaminë D.
Të dhënat treguan se vazja që kishin marrë sasi të larta vitaminë D nga ushqimet dhe nëpërmjet vitamina shtesë, kishin pasur një rrezik 50 përqind më të vogël për t’u prekur nga frakturat, krahasuar me ato që kishin marrë vitaminë në shkallën më të ulët.
Autorët e studimit thonë se rezultatet e tyre mbështesin nismën e kohëve të fundit nga ana e Institutit të Mjekësisë, për të shtuar dozën e lejuar të vitaminës D për adoleshentët.