Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Ky është një informacion i rëndësishëm për cilindo që kujdeset për një të moshuar. Edhe pse qëndrimet e përsëritura në spital mund të jenë pjesë e domosdoshme e plakjes – një studim i ri zbulon se ato vijnë me një çmim.
Spitalet shpesh mund të jenë vendet më të mira për shërimin e të moshuarve, por sipas studimit botuar në revistën “Neurology” qëndrimi në spital mund të ketë ndikim negativ në mendjen e tyre.
Autorët e studimit ndoqën nga afër për disa vjet gjendjen e rreth 1 mijë e 900 personave të moshuar, shumë prej të cilëve ishin shtruar në spital të paktën 1 herë gjatë kësaj periudhe.
Pas shtrimit vetëm një herë në spital, këta të moshuar pësuan një rënie dy herë më të madhe në aftësitë e tyre njohëse – kjo paaftësi përshpejtohej me rritjen e rasteve të shtrimit. Gjithashtu, ekziston faktori kohë – tek të moshuarit e sëmurë dhe që kishin qëndruar më gjatë në spital, rënia e aftësive njohëse ishte edhe më e shpejtë.
Rënia e aftësisë njohëse është e lidhur me rritjen e rrezikut për paaftësi, humbje kujtese dhe vdekje. Autorët e studimit thonë se shpresojnë që përmirësimet në kujdesin paraprak të të moshuarve do të ndikojnë në shkurtimin e kohëzgjatjes së qëndrimit të tyre në spital.