Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Sa i informuar është mjeku juaj? Sepse del se rezultatet e disa studimeve të rëndësishme mjekësore nuk arrijnë deri tek mjekët.
Të gjithë duan të trajtohen nga mjekë bazuar në arritjet më të fundit të mundshme të shkencës. Por një studim në revistën “PLoS Medicine” gjen një “pamje të verbër” në këtë autostradë informacioni.
Duke shqyrtuar provat klinike me barnat për trajtimin e psikozës, autorët e studimit zbuluan se 17 përqind e studimeve që iu janë dorëzuar agjencisë së ushqimeve dhe barnave (FDA) nuk janë bërë publike. Më shqetësues është fakti se shumë prej studimeve të pa-publikuara janë ato që hedhin dyshime mbi efektshmërinë e këtyre barnave.
Kjo e ashtuquajtur “njëanshmëri publikimi” do të thotë se mjekët mund të mos kenë një këndvështrim të plotë dhe të balancuar për trajtimet që ata u rekomandojnë pacientëve.
Autorët e studimit thonë se përqasja e zgjeruar në studimet e agjencisë së barnave është thelbësore për të shmangur paqartësitë midis ilaçeve të efektshme dhe të paefektshme.